Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se “në kohën e dyfishimit të çmimeve, dyfishohet edhe tatimi në pronë për shkak se Ministria e Financave e rrit vlerën e pronave pa i marrë parasysh rrethanat socio-ekonomike në vend”.
Hoti ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK) propozon dhe është e gatshme të mbështesë disa masa.
Ish-kryeministri Hoti ka propozuar që Ministria e Financave të pezullojë rivlerësimin e pronave dhe faturat për vitin 2023 të llogariten sipas vlerësimeve të mëparshme.
“Ministria e Financave të procedojë në Kuvend Ligjin e ri për Tatim në Pronë për të bërë përshtatjet që reflektojnë situatën e rëndë nga inflacioni”, ka propozuar Hoti.
Tutje Hoti ka propozuar që Ministria e Financave, në bashkëpunim me komunat, gjatë vitit 2023 të bëjë ri-vlerësimin e pronave pas përcaktimit të zonave që marrin parasysh zhvillimin e vendbanimeve dhe ngastrave kadastrale “(kjo për shkak se gjatë ri-vlerësimit të pronave janë përdorur zonat e vjetra pasi ka dështuar sistemi i Departamentit të Tatimit në Pronë)”.