Ish kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, ka thënë se menaxhimi i sektorit të energjisë në përgjithësi dhe i krizës në veçanti nga ana e qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti është kaotike.
Përmes një postimi në Facebook Hoti ka shtuar se, në mungesë të vendimeve adekuate nga ana e qeverisë, i gjithë sektori energjetik është në situatë tepër të vështirë.
“Fatkeqësisht, po dëshmohet çdo ditë se menaxhimi i sektorit të energjisë në përgjithësi dhe i krizës në veçanti nga ana e Qeverisë është kaotik. Në mungesë të vendimeve adekuate, sot i gjithë sektori energjetik është në situatë tepër të vështirë”, ka thënë ndër tjerash Hoti.
Postimi i plotë:
40 milionë euro për KOSTT-in?! Me çfarë plani ndahen këto mjete? A duhet ky vendim të sillet në Kuvend siç u veprua vitin e kaluar?!
Fatkeqësisht, po dëshmohet çdo ditë se menaxhimi i sektorit të energjisë në përgjithësi dhe i krizës në veçanti nga ana e Qeverisë është kaotik. Në mungesë të vendimeve adekuate, sot i gjithë sektori energjetik është në situatë tepër të vështirë:
Dimrin e kaluar, emergjenca energjetike u shpall në fund të dhjetorit, kur ishte tepër vonë për të intervenuar. Ndërkaq, sivjet u miratua një vendim para dy jave në Kuvend, por ai nuk përmban asnjë masë konkrete, përveç detyrave të rregullta që duhet të kryejë KEK-u pavarësisht këtij vendimi dhe thirrjet për kursim të energjisë.
Procesi i rishikimit të tarifave nga ZRRE-ja në fillim të këtij viti krijoi kaos, sidomos pas një serie të vendimeve gjyqësore dhe paqartësisë dhe vonesave të Qeverisë lidhur me reagimet ndaj krizës energjetike. Në fund të sezonit dimëror, Qeveria nuk i zbatoi as zotimet e veta. Sot kompanitë kryesore energjetike, si KESCO, KEDS, KEK dhe KOSTT, kanë borxhe ndaj njëra tjetrës. Ato e kanë të vështirë të kryejnë edhe obligimet e tyre të rregullta, e lëre më të blejnë energji paraprakisht për dimër dhe të përgatiten për krizën që na pret.
Në afat të gjatë, furnizimi me energji nuk zgjidhet me bateria, pasi ato ndihmojnë vetëm në stabilitetin e sistemit. Furnizimi stabil afatgjatë sigurohet me ndërtim të kapaciteteve të reja, të cilat mund të jenë me qymyr ose me gaz. Alternativa me gaz ka qenë e gatshme në qeverinë e kaluar, por fatkeqësisht u injorua për motive që i dinë ata që e injoruan atë alternativë.