Ish-kryeministri dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar rezolutën e përpiluar nga Lëvizja Vetëvendosja, për luftimin e inflacionit në nivel të vendit.
Hoti këtë rezolutë të mazhorancës e cilësoi si absurde. Më tutje, Hoti, shpjegoi se qytetarët janë duke u përballur me një gjendje të tillë për muaj, derisa qeveria nuk po ndërmerr asnjë veprim.
“Qytetarët përballen me inflacion për muaj të tërë. Qeveria nuk ndërmerr asnjë veprim. Opozita në Kuvend propozon disa rezoluta me masa konkrete për të zbutur inflacionin. Por të gjitha refuzohen nga mazhoranca”, ka shkruar Hoti.
Postimi i plotë:
REZOLUTA ABSURDE E MAZHORANCËS PËR TË LUFTUAR INFLACIONIN
Qytetarët përballen me inflacion për muaj të tërë. Qeveria nuk ndërmerr asnjë veprim. Opozita në Kuvend propozon disa rezoluta me masa konkrete për të zbutur inflacionin. Por të gjitha refuzohen nga mazhoranca.
Ja çfarë rezolute absurde propozohet tash nga mazhoranca për seancën e Kuvendit të datës 21 korrik. Kjo qasje tregon papërgjegjësi.
Tanimë secili e ka kuptuar se ky mandat qeverisës do të mbetet një episod fatkeq i qeverisjes në Kosovës.