Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mungesë të udhëheqësve në institucionet kyçe.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se Kosova po funksionon si pa zot shtëpie.
Ai ka përmendur disa institucione të rëndësishme të cilat për po vazhdojnë të funksionojnë pa drejtues për një kohë të gjatë.
“Mungesa e udhëheqësve të institucioneve kyçe me pasoja për të gjithë. Kosova po funksionon si pa zot shtëpie. Institucionet kyçe, në veçanti ato për çështje ekonomike dhe financiare, janë pa drejtues për shumë kohë. Nuk ka asnjë arsyetim për këtë situatë të krijuar. Pasojat po i bartim të gjithë pa përjashtim. 1. Kryeprokurori i Shtetit nuk është emëruar për më shumë se një vit. 2. Trusti Pensional nuk ka Bord. 3. BQK-ja mbetet pa Guvernator nga java e ardhshme. As zëvendësguvernator të zgjedhur nuk ka. Është një ushtrues detyre i Zëvendësguvernatorit, i cili do të bëhet ushtrues detyre i Guvernatorit. 4. Administrata Tatimore e Kosovës nuk ka drejtor të zgjedhur. 5. Njësia për Inteligjencë Financiare nuk ka drejtor për më shumë se një vit. 6. Komisioni për Ndihmë Shtetërore nuk është emëruar për më shumë se një vit”, ka shkruar Hoti,
Më tej, ai ia ka përmendur kryeministrit Kurti edhe lëshimet në marrëveshjen fundit në raport me Serbinë.
“Ndoshta nuk kemi nevojë më për drejtues të këtyre institucioneve. Ndoshta mjafton që e kemi Kryeministrin, i cili krenohet për arritjen e marrëveshjes me Serbinë në villat e Titos në Ohër. Madje krenohet se i ka bërë Serbisë ofertë shumë gjeneroze për asociacionin e komunave me shumicë serbe, por që ajo nuk e ka pranuar”, ka shkruar Hoti.