Me kërkesë Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje është hequr nga rendi i ditës pika për shkarkimin e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.
Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, propozoi që të hiqet nga rendi i ditës shqyrtimi i rekomandimit të Komisionit për Ekonomi, Tregti dhe Industri për shkarkimin e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).
Deputetja Kusari-Lila tha se këtë kërkesë e kanë për arsye procedurale derisa ka kërkuar që ajo do të mbesë të caktohet për një seancë tjetër.
“Po ky bord është emëruar gjatë këtij mandati, gjatë kësaj legjislature, ndërsa sa i përket vendimit për shkarkimin e tyre, ka qenë një vendim unanim i votuar nga të gjithë anëtarët e Komisionit. Arsyet kanë qenë shkeljet e natyrave të ndryshme, përfshirë edhe ato që përbëjnë shkelje të interesit publik, në këtë rast humbje të mjeteve apo pretendim për falje të borxhit. Si do qoftë kjo tërheqje e pikës nuk po bëhet për të ndryshuar vendimi, por për të vazhduar me një procedurë sic parashihet me nenin 111 të Rregullores së Punës së Kuvendit”, theksoi ajo.
Ndërsa, shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi kërkoi të hetohet ky bord për shkak se sic tha ai bëhet fjalë për një dëm të madh të interesit publik, rreth 10 milionë euro.
“Me sa po e kuptoj tema është shqetësuese, bëhet fjalë për dëme të interesit publik për diku rreth 10 milionë euro, pra një aferë korruptive rreth 10 milionë euro. Dhe pajtohemi që procedurat për shkarkimin e këtij bordi të gjitha procedurat në mënyrë që mos të kemi probleme ligjore “, theksoi ai.