Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill është shprehur i zhgënjyer qysh edhe 23 vjet pas luftës, Serbia dhe Kosova nuk kanë raporte normale ndërshtetërore.
“Sinqerisht, jam i dekurajuar nga sa ngadalë po shkojnë gjërat”, tha ai në një intervistë për gazetën beogradase “Danas”, por duke u shfaqur i kënaqur që Bashkimi Evropian ka marrë përsipër të udhëheqë këtë proces .“Mendoj se është logjike që të ulen tensionet mes Serbisë dhe Kosovës dhe të gjendet një mënyrë që të dyja vendet të ecin përpara, aq më tepër që janë fqinjë”, tha diplomati amerikan.
Hill pranoi se me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq nuk pajtohet për tema të caktuara, por konfirmoi se e mbështet nismën “Ballkani i Hapur”, gjë që e kishte shprehur edhe me praninë fizike në samitin e fundit të mbajtur në Ohër e ku mungonte vetëm Kosova.
“Në Ballkanin Perëndimor duhet të punojmë edhe më shumë për integrimin rajonal. Kjo është arsyeja pse unë mbështes ‘Ballkanin e Hapur’.
Ka pasur një afrim të rëndësishëm mes Shqipërisë dhe Serbisë dhe mund të flasim jo vetëm për marrëdhëniet e mira mes kryeministrit Rama dhe presidentit Vuçiç, por ka pasur një përmirësim të marrëdhënieve në të gjitha fushat. Është një frymëzim për të gjithë. Shpresoj ta shohin edhe evropianët”, tha ai.Diplomati që ka përvojë të gjatë në rajon, u bën thirrje serbëve të ndjekin kursin perëndimor, dhe të bëjnë ndarjen me të kaluarën kriminale që u ndërtua në emër të tyre.
“Është e rëndësishme të dihet se kush dhe çfarë ka bërë në emër të Serbisë gjatë luftërave. Shumë kriminelë lufte thonë se kanë bërë diçka për të mirën e përbashkët. Jo, nuk e bënë, ata e bënë për hir të tyre dhe duhet të marrin përgjegjësi personale për këtë. Ata që lavdërojnë kriminelët e luftës nuk po i bëjnë mirë kombit të tyre”, tha Hill, derisa komentoi muralet e krimiminelit Ratko Mladiq, njëri nga të cilët gjendet përballë redaksisë së gazetës “Danas” ku ishte mysafir.