Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, tha se Amerika mbështet interesin e përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Evropian, për zgjidhjen e problemit në marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Hill, tha se përpara propozimit të Francës dhe Gjermanisë, janë zhvilluar diskutime të gjera në mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe BE-së, si dhe me përfaqësuesit e Beogradit dhe Prishtinës.
“Natyrisht se jemi në dijeni. Kemi folur edhe me BE për këtë propozim, me Bashkimin Evropian i cili ka zhvilluar bisedime të gjëra edhe me Prishtinën, por edhe me Beogradin në lidhje me këtë çështje. Për momentin nuk dua të hyjë në detaje lidhur me këtë çështje, por e mirëpres angazhimin e liderëve evropian në këtë proces. Besoj se të gjithë duan ta lënë pas të kaluarën dhe të avancojnë përpara”, tha Hill në një përgjigje për gazetarë pas konferencës “Administrata amerikane përmes lenteve të diplomatëve të karrierës”.