Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill e ka vlerësuar si një proces shumë të vështirë dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Ai ka thënë se situata është e vështirë, por ka treguar se në anën tjetër është e nevojshme të formohet Asociacioni i komunat serbe.
“Është një çështje me të cilën po merren edhe evropianët edhe SHBA-të dhe ndonëse nuk do të ketë progres në çdo takim, në fund do të kemi një Asociacion të Komunave Serbe”, ka thënë Hill.
Propozim-marrëveshja që u bë publike pas takimit të 27 shkurtit, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.
Marrëveshjet e deritashme përfshijnë edhe atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, e cila është arritur në vitin 2013, por nuk është zbatuar kurrë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion një etnik me kompetenca ekzekutive, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq insiston në themelimin e tij.
Takimi i fundit midis Kosovës dhe Serbisë është mbajtur ditën e hënë por që nuk dha ndonjë rezultat të ri e konkret.