Qindra qytetarë nga Hani i Elezit gjatë dy ditëve të fundit kanë kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e një helmimi që dyshohet të ketë ardhur nga uji.
Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar, kanë njoftuar se kanë bërë furnizimin me barna në QKMF-në, në Han të Elezit, në kuadër të kërkesave për ndihmë emergjente, sa i përket dyshimeve për helmim nga uji.
MSh gjithashtu ka njoftuar se ka furnizuar dhe QKMF-në në Kaçanik pasi që të njëjtit janë përballur me të njëjtën situatë sikurse në Han të Elezit.
“Ministria e Shëndetësisë, njofton opinion publik se në kuadër të emergjencave në QKMF Kaçanik dhe Hani i Elezit për produkte medicinale, ju njoftojmë për furnizimet të cilat janë realizuar nga ShSKUK.
Nga QKUK për QKMF Hani i Elezit (Furnizimi me datën 12.07.2022): NaCl 500ml 500 copë, Hyoscine amp. 60 copë, Metoclopramide amp. 150 copë
Nga SP Ferizaj për QKMF Kaçanik (Furnizimi me datën 08.07.2022): Ringer sol 500 copë, NaCl 500ml 700 copë, Kanilla 22G 1000 copë dhe Hyoscine amp. 120 copë”, thuhet në njoftim.
Në njoftim thuhet se duke marrë parasysh situatën e krijuar të gjitha komunat për rreth Hani të Elezit, si Vitia, Ferizaj etj, janë në gjendje gatishmërie për të ndihmuar komunën e Hanit të Elezit, për tejkalimin e kësaj situate, ku dyshohet se disa qytetarë janë helmuar më ujë të pijes.
“Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet relevante janë duke e përcjellë gjendjen në komunën e Hanit të Elezit dhe në atë të Kaçanikut, në mënyrë që t’ju ofrojmë shërbime sa më të duhura qytetarëve të këtyre vendeve, por edhe më gjerë”, thuhet në njoftim.