Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka thënë se Projektligji për Rregullimin e çmimit të barnave, ishte propozuar një vit më herët nga partia e tij, por që nuk ishte përkrahur nga mazhoranca, raporton Ekonomia Online.
E pikërisht për këtë, thotë se një Projektligj i tillë është i mirëseardhur, pasi sipas tij keqpërdorimet me çmimet e barnave kanë qenë të shumta.
“Është një brengë sepse përveç çmimeve tjera, pra edhe çmimet e barnave janë rritur, është një fatkeqësi që edhe ka vazhduar blerja e barnave me çmime të shtrenjta, 200-300 për qind më shtrenjtë”, u shpreh Haxhiu.
Ndonëse e kanë përkrahur në parim në Komisionin për Shëndetësi, Haxhiu e quan Projektligj të dobët dhe favorizim për oligarkët e mëdhenj.
“Ne e kemi miratuar në parim Projektligjin për Rregullimin e çmimit të barnave, projektligj të cilin ne e kishim propozuar një vit më parë, mirëpo që nuk ishte mbështetur në atë periudhë kohore, nga Lëvizja Vetëvendosje ka sjellur sot një projektligj i cili është shumë i dobët, shumë i vobekte, i cili ka me rritë informalitetin, frikësohem shumë se ka me rritë edhe ka me pas mungesë të barnave të caktuara në tregun tonë, sepse ky projektligj i favorizon një pjesë të bizneseve që ka manipuluar me këtë sektor, pra ata oligarkët e mëdhenj që kanë abuzuar me këtë sektor, ndërsa i godet bizneset serioze edhe të cilat nuk kanë abuzuar me çmimin e barnave dhe tash mbetet të shihet dhe ne u thamë që do t’ua dorëzojmë projektligjin që kemi dorëzuar një vit më përpara, i cili projektligj edhe parasheh edhe rimbursim të barnave, që ky projektligj nuk e ka, pse nuk e kanë paraparë rimbursimin e barnave për nder nuk e di, por shteti është i detyruar që t’i sigurojë qytetarëve barna nga lista esenciale pa para edhe këtë duhet ta sigurojë shteti. Nëse iu keni pas raste që furnizimi i barnave nga lista esenciale ka pas mungesa atëherë qytetarët janë detyruar t’i blejnë ato me çmime të larta dhe kjo është arsyeja pse duhet të ketë pastaj rimbursim”, u shpreh ai.