Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nuk është pajtuar me vendimin e së premtes të Gjykatës Kushtetuese e cila vendosi ta rrëzojë Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Haxhiu ka thënë se për Kushtetuesen më e rëndësishme ka qenë interesi individual i ndonjë anëtari të KPK-së sesa interesi i përgjithshëm e ndalja e korporatizmit.
“Për Kushtetuesen më i rëndësishëm është interesi individual i anëtarëve të KPK-së, dhe jo të gjithëve, por vetëm disa prej tyre, sesa interesi i përgjithshëm, sesa ndalimi i korporatizmit në një institucion të rëndësishëm për qytetarët, për vetë sistemin e drejtësisë në përgjithësi”, ka thënë ajo në konferencë për media të shtunën.
Befasi e ka cilësuar edhe pikën që thuhet se delegimi i një anëtari joprokuror nga Avokati i Popullit është jokushtetues, sipas saj.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që ta shpallë të pavlefshëm Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë së këtij ligji nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, vitin e shkuar.