Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka folur për Projektligjin për Sistemin Qendror të Evidencës Penale të Kosovës, i cili u miratua në Qeverinë e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Ministrja Haxhiu në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, tha se ky sistem mundëson transparencë më të madhe në sistemin gjyqësor.
“Është në përputhje me programin e qeverisë dhe është rezultat i një analize të gjerë të Ministrisë së Drejtësisë. Për herë të parë çështja e evidencës penale do të rregullohet me një ligj të veçantë”, tha Haxhiu.
“Ky ligj rregullon sistemin qendror të evidencës penale të Republikës së Kosovës, krijimin e mekanizmave strukturor institucional të sistemit, mirëmbajtjen dhe lëshimin e të dhënave, si dhe procedurën për rehabilitimin e personave të dënuar dhe qasjen në këto informata, përfshirë edhe afatet përkatëse kohore”, tha tutje ajo.
Ajo tha se Ministria e Drejtësisë do të ketë qasje në Sistemin Qendror të Evidencës Penale të Kosovës.