Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka folur para mediave përgjatë homazheve te varri i aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.
Ajo ka thënë para mediave se Ministria e Drejtësisë i ka përfunduar gjitha kompetencat lidhur me rastin Dehari.
“Si Ministri e Drejtësisë gjitha kompetencat për rastin Dehari i kemi përfunduar. Ne kemi suspenduar tre zyrtarë njëherë, pastaj edhe dy të tjerë që kanë pasur përgjegjësi gjatë kohës kur ka ndodhur ky rast”, ka thënë Haxhiu.
Ministrja e Drejtësisë ka thënë se Prokuroria duhet ta bëjë punën e saj pa vonesa dhe ka theksuar se është e nevojshme drejtësia për Astritin sepse edhe shoqëria e dëshiron atë.
Ajo tutje ka pohuar se lidhur me këtë rast ka një neglizhencë nga ana e prokurorit special, gjersa, ka bërë thirrje që të ndërrohet prokurori i rastit apo të formohet një ekip prokurorësh që të zbardhin rastin sa më shpejt.
“Ka një neglizhencë nga ana e prokurorit special, aj nuk flet për rastin, injoron kërkesat e familjes. Unë thërras që të ndërrohet prokurori i rastit ose të formohet një ekip i prokurorëve dhe sa më shpejt të zbardhet rasti”, ka përfunduar Haxhiu.
Sot shënohet gjashtë vjetori i vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosja, Astrit Dehari.