Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se marrëveshja me Danimarkën për burgjet pritet të procedohet në Kuvendin e Kosovës brenda një muaji.
Haxhiu theksoi se në qendrën e burgut në Gjilan, nuk kanë mundur të nisin renovimet derisa kjo marrëveshje të ratifikohet në Kuvend.
Këtë Haxhiu e deklaroi gjatë një konference për media, bashkë me ministrin e Drejtësisë së Shqipërisë, Ulsi Manja.
“Kemi pasur diskutime të gjata të cilat janë përmbyllur. Nuk kemi mundur të nisim renovimet në Qendrën në Gjilan pa u ratifikuar marrëveshja në Kuvend. Shumë shpejt marrëveshja do të procedohet në Kuvendin e Kosovës, brenda një muaji”,tha Haxhiu.
Ndryshe Kosova dhe Danimarka më 20 dhjetor të vitit të kaluar kanë nënshkruar një letër-pëlqim, sipas të cilit, 300 qeli burgu të Kosovës do t’i jepen në shfrytëzim shtetit danez.
E pas kësaj në prill të këtij viti, ministrja Haxhiu dhe homologu i saj nga Danimarka, Nick Haekkerup, nënshkruan Traktatin i cili i hap rrugë bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në avancimin e shërbimeve korrektuese, përkrahjen e projekteve për energji të gjelbër dhe promovimin e sundimit të ligjit.
Nga ky huazim, Kosova pritet të përfitojë rreth 210 milionë euro gjatë dekadës së ardhshme.