Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me përkujtimin që Qeveria e Kosovës dhe Albin Kurti ka bërë për Oliver Ivanoviq, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Ai ka thënë se Qeveria po nderon kriminelët, ndërsa po përbuz çlirimtarët, teksa shton se kjo është fyerje për viktimat shqiptare dhe familjet e tyre.
Haxhiu gjithashtu ka thënë se përkujtimi për Ivanoviqin Qeveria mund ta bëjnë në emër të poshtërsisë tsë tyre, por jo në emër të Qeverisë së Kosovës dhe popullit të Kosovës.
Postimi i plotë:
Nderojnë kriminelët serbë – përbuzin çlirimitarët!
Oliver Ivanoviçi do të duhej të dënohej për krimet që ka bërë gjatë dhe pas luftës në Kosovë e jo të nderohet e përkujtohet nga Albin Kurti dhe Qeveria e Kosovës.
Mitrovica, në veçanti banorët e veriut i kanë të njohura krimet e Oliver Ivanoviçit gjatë dhe pas luftës.
Oliver Ivanoviçi dyshohej për masakrën e Kovaçëve, në Mitrovicë. Ai i krijoi dhe organizoi “Rojet e Urës” në vitin 1999, të cilat dhunuan, torturuan, vranë dhe dëbuan shqiptarët nga veriu i Mitrovicës.
Përkujtimi dhe nderimi që sot Qeveria e Kosovës e bëri në emër të qytetarëve të Kosovës për Ivanoviçin, është fyerje për viktimat shqiptare, për familjet e tyre.
Nderimin dhe përkujtimin për Ivanoviçin mund ta bëni në emër të poshtërsisë tuaj, por Jo në emër të Qeverisë së Kosovës dhe popullit të Kosovës.
Ivanoviçin nderojeni dhe përkujtojeni në emrin tuaj, nderojeni si bashkëpuntorin apo mikun tuaj, por jo duke ua ngjallur dhimbjen familjeve shqiptare që humbën më të dashurit e tyre në veri.
Jo në emër të Qeverisë së Kosovës, sepse ky institucion gurthemel ka gjakun edhe të atyre viktimave e heronjve që ranë në mbrojtje të Veriut të Mitrovicës.
Mos na i poshtëroni heronjtë!
Përkuluni para “heroizmit” të Ivanoviçit nderojeni veprën e tij vetëm në emrin tuaj dhe shëmtisë që po e shpërfaqni çdo ditë.