Është mbajtur takimi i parë i grupit punues për hartimin e projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Noterinë.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në fjalën e saj, përshëndeti fillimin e punës së grupit punues, me ç’rast falënderoi pjesëmarrësit në këtë proces dhe posaçërisht Odën Federale të Noterëve në Gjermani, për bashkëpunimin dhe kontributin e tyre në përmirësimin dhe avancimin e kornizës ligjore të sistemit noterial të Kosovës, njofton Klan Kosova.
Më tej, Haxhiu theksoi se me qëllim të forcimit të mëtejmë të shërbimit të noterisë është e rëndësishme që korniza ligjore të jetë e përshtatshme dhe t’iu mundësojë qytetarëve qasje sa më të lehtë në shërbime noteriale dhe këto shërbime të jenë sa më cilësore dhe të ofruara me shumë përgjegjësi e profesionalizëm.
“Në ligjin aktual për noterinë, janë identifikuar në praktikë vështirësi që ndërlidhen me çështje të ndryshme të sistemit të noterisë që përfshijnë kushtet për ushtrimit e detyrës së noterit, kushtet dhe organizimin e provimit për noterinë, territorin zyrtar dhe shërbimet noteriale elektronike”.