Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se personat të cilët shpallen fajtor për veprën penale të dhunës në familje apo dhunimit seksual do të ndalohet punësimi në institucione publike, qoftë në nivelin lokal apo atë qendror, do t’i ndalohet kandidimi në pozita, do t’i merret leja e vozitjes dhe nuk do të ketë rrethana lehtësuese për dhunuesit.
Haxhiu i bëri këto komente gjatë mbledhjes së Këshillit të organizatës gratë për Vetëvendosje.
“Janë miratuar një sërë vendimesh që kanë të bëjnë në Kodin penal dhe procedurës penale. Kemi bërë ndryshime për personat të cilët shpallen fajtor për veprën penale të dhunës në familje apo dhunimit seksual.
Do të ndalohet punësimi në institucione publike, qoftë në nivelin lokal apo atë qendror, do t’i ndalohet kandidimi në pozita, do t’i merret leja e vozitjes dhe nuk do të ketë rrethana lehtësuese për dhunuesit.
Trajtimi i këtyre lëndëve nuk do të zgjasë më shumë se një vit dhe emrat e dhunuesve do të publikohen në faqen zyrtare të Këshillit Gjyqësor të Kosovës”, thënë ajo.
Gjithashtu ajo tregoi edhe për reformat e reja në sistemin e drejtësisë ku gratë do të kenë shumë të drejta që më herët nuk i kanë pasur.
“Besoj që gratë kanë dëgjuar mjaftueshëm burrat, është koha që të dëgjohen gratë e vajzat e LVV.. kemi nisur reforma në sistemin e drejtësisë, mirëpo kjo do të ketë ndikim sidomos tek gratë dhe vajzat..
Gratë nuk do të presin me vite për të marruar një vendim që lidhet me trashëgimin, pronën, divorcin, kujdestarinë ndaj fëmijëve apo mbrojtjen e dinjitetit të tyre në raste kur kemi dhunë fizike, psikike, seksuale apo materiale ndaj tyre… Këtë vit kanë hyrë në fuqi ndryshimet që kanë të bëjnë me ofrimet e ndihmës juridike falas për vajzat dhe gratë viktima të dhunës, kemi eliminuar procedurat burokratike për kompensimin e viktimave të krimit. Për herë të parë po hartohet protokolli shtetëror për trajtimet e dhunimeve seksuale dhe dokumenti për trajtimin e dhunuesve”, tha ajo.
Në këtë mbledhje mori pjesë edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti ku tha se gratë dhe të rinjtë janë temat më të rëndësishme për shoqërinë dhe duhet përkushtuar më shumë.
“Subjektet politike duhet të krijojnë më shumë terren për rini, më shumë platforma dhe mundësi për ta. Ne si LVV kemi menduar këtë me themelimi e organizatës Rinia për Vetëvendosjen. RVV do ta rrisë shpejtësinë e lëvizjes, kurse lëvizja do ta rris bazën rinisë. Perspektiva jonë për lëvizjen dhe shoqërinë tonë do të zgjerohet, na duhet politika barazimtare por edhe organizim”, përfundoi ai.
Lëvizja Vetëvendosje nga tani e tutje do të ketë Këshillin e Grave dhe Këshillin e të Rinjve. /KP/