Haxhi Avdyli, deputeti në Kuvendin e Kosovës nga Lista “Guxo”, deklaroi se koalicioni qeverisës mes kësaj liste dhe Lëvizjes Vetëvendosje është stabil.
Ai tha se siguron qytetarët e Kosovës se zgjedhje parlamentare, para vitit 2025, nuk do të ketë.
Duke iu referuar deklarimeve të deputetit Arben Gashi nga LDK-ja se në vjeshtë mund të ketë zgjedhje sepse disa deputetë të pozitës mund të kalojnë në opozitë, Avdyli tha se kjo nuk është e vërtetë.
“Koalicioni është stabil. Deklarimet e deputetit të LDK-së, Arben Gashi se ka lëkundje mes LVV dhe Listës ‘Guxo’ janë balona, mjeshtërisht të lëshuara dhe tani të gjithë po vrapojnë pas tyre”, tha Avdyli në intervistën dhënënë RTK.
Avdyli u shpreh se koalicioni po funksionin në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Deklarimet e deputetit Gashi nuk i beson as ai vet dhe qëllimi i tij ishte të krijojë huti”, tha Avdyli nga Lista “Guxo”.
Ai deklaroi se vazhdimisht është në Kuvend dhe takohet me dhjetëra deputetë, por kurrë nuk ka dëgjuar për braktisje të koalicionit nga ndonjë prej tyre.
“Nëse deputeti Gashi ka aluduar për pesë deputetë të Listës ‘Guxo’, nuk ka asgjë të vërtetë sepse ne kemi marrë votat në koalicion parazgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje. Kemi ministrat në Qeveri që po punojnë në mënyrë të shkëlqyer”, tha deputeti Avdyli në “Lajmet e fundit”.
“Nëse kemi dallime për çështje të caktuara janë pjesë e punës sepse ka raste kur edhe vetë brenda pesë deputetëve të listës ‘Guxo’ kemi diskutime e mospajtime për çështje të caktuara”, u shpreh ai.
Avdyli deklaroi se Qeveria do të ‘rrëzohet’ në vitin 2025 kur do të ketë zgjedhje parlamentare të rregullta.