Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kujtuar vrasjen e të gjithë burrave që kishin mbetur në fshatin Lybeniq të Pejës si dhe martirizimin e dhjetëra burrave e grave në Gjakovë.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se gjithë ata ishin vrarë vetëm pse kishin ëndërruar lirinë e Atdheut.
“Më 1 prill 1999, në Lybeniq të Pejës forcat barbare ekzekutuan të gjithë burrat që kishin gjetur në fshat. Ata u vranë vetëm pse e ëndërruan lirinë e Atdheut.
Në këtë ditë ndajmë thellësisht dhimbjen me familjarët e të gjithë të rënëve të ngjarjeve që nisën më 1 prill dhe vazhduan edhe në ditët në vijim në fshatrat përreth, në të cilat regjimi i atëhershëm mori jetën e shumë civilëve të pafajshëm shqiptarë”, ka shkruar Haradinaj.
Haradinaj ka përmendur edhe familjen e Januz Canës e cila u shua krejtësisht pa lënë pasardhës.
“Gjithashtu sot me përulje të thellë, kujtojmë martirizimin e dhjetëra vëllezërve e motrave tona në Gjakovë. Kujtojmë familjen që u shua pa lënë pasardhës, familjen e Januz Canës. Kujtojmë gjithë ata që u sakrifikuan në shtëpinë e familjes Vejsa dhe në pjesët e tjera të Gjakovës. Asnjëherë nuk do t’i harrojmë njerëzit tanë, që me jetët e tyre iu bënë mburojë kësaj toke.
Lavdi të gjithë të rënëve për liri!”, ka përfunduar Haradinaj.