Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka mbajtur konferencë të jashtëzakonshme për medie, raporton Ekonomia Online.Haradinaj, në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ka bërë të ditur se i ka dërguar një letër kryeministrit Kurti.
Ai tha se i ka kërkuar Kurtit që ta pranojë kërkesën e SHBA-së për shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat ilegale.
Letra e plotë e Haradinajt:
I nderuar kryeministër i Republikës së Kosovës z. Albin KurtiMe shqetësim po e përcjell situatën e sigurisë në veri të vendit, pas vendimit tuaj të fundit për targat. Askush, as brenda Kosovës e as partnerët tonë ndërkombëtar nuk e konteston të drejtën e Kosovës për të zbatuar ligjin në mbarë territorin e vendit.Por, momenti aktual është i ndjeshëm dhe kërkon maturi e gjakftohtësi, në mënyrë që të mos rrezikohet procesi drejt Marrëveshjes Finale mes Kosovës dhe Serbisë. Prandaj, ju kërkoj që me urgjencë të pranoni kërkesën e Amerikës për shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat ilegale në afatin e kërkuar dhe të ndërpreni veprimet që keni marrë deri tani për zbatimin e vendimit në fjalë.Njëkohësisht ju kërkoj që deri në Marrëveshjen Finale, të mos ndërmerrni asnjë veprim që e rrezikon sigurinë e vendit në cilën do pjesë të tij, pa koordinim në plotni me Shtetet e Bashkuara. Ju inkurajoj që të kërkoni ndihmën e Këshilltarit Nacional për Siguri të presidentit Biden, z. Jake Sullivan për të qartësuar dhe saktësuar veprimet që shtensionojnë situatën aktuale të sigurisë në rajon, deri në Marrëveshjen Finale mes Kosovës dhe Serbisë për njohje reciproke.