Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, thotë se kur kishte marrë detyrën e kryeministrit në vitin 2017 kishte trashëguar një situatë katastrofike me energjinë elektrike, kjo për siç shprehet se nuk ishin shpronësuar banorët në Shipitullë dhe për këtë arsye thotë se kaluar javë të tëra në KEK e me banorët e zonës, në kërkim të një zgjidhjeje.
Prandaj thotë se vendimi i parë si kryeministër që e ka marrë ka qenë që të shpronësoheshin banorët, “që KEK-u të rikthehej në prodhim me mbi 900 megavatë, që të mos shtrenjtohej rryma dhe që Kosova t’i shpëtonte rreth 150 milionë euro”.
Postimi i tij i plotë:
Energjia, kjo plagë e pashërueshme e Kosovës!
Në shtatorin e vitit 2017, gjendja elektro-energjetike ne Kosovë, ishte katastrofike. Më e vështirë se sa që është aktualisht. Kishin shteruar rezervat e thëngjillit dhe eskavatorët nuk gërmonin më. Termocentralet e Kosovës nuk prodhonin rrymë e Kosova shpenzonte miliona euro duke mos prodhuar e duke e blerë rrymë.
Arsyetimi ishte se nuk ishin shpronësuar banorët në Shipitullë!!!
Në fakt që në vitin 2014 Qeveria e Kosovës kishte marrë një vendim për shpronësimin e 54 hektarëve tokë ku gravitonin 20 shtëpi, për të hapur minierën e re, por vendimi nuk ishte realizuar asnjëherë dhe në ata 54 hektarë ishin ndërtuar gjithsej 226 shtëpi. Kishin mbirë si kërpudhat pas shiu, natyrisht kjo edhe sepse aty i kishin futur duart grupe të ndryshme interesi, që nga vet pushteti i atëhershëm e deri te tuxharët e energjisë.
Kosova nuk prodhonte rrymë e Banka Botërore kërcënonte se do të tërhiqej nga çdo lloj investimi në sektorin e energjisë.
Kjo ishte gjendja që unë e kisha trashëguar me ta marrë detyrën e Kryeministrit.
Duke qenë se situata ishte e rëndë e Kosova po hynte në dimër, pata kaluar javë të tëra në KEK e me banorët e zonës, në kërkim të një zgjidhjeje.
Në një raport të Bankës Botërore thuhej se nëse Kosova nuk do të bënte një zgjidhje të shpejtë do të detyrohej të paguante mbi 150 milionë euro për blerje të energjisë, ndërkaq parallogaria e shpronësimit ishte 20 milionë.
Kështu duke analizuar përfitimet e rreziqet, vendimi im i parë si Kryeministër ishte që të shpronësoheshin banorët, që KEK-u të rikthehej në prodhim me mbi 900 megavatë, që të mos shtrenjtohej rryma dhe që Kosova t’i shpëtonte rreth 150 milionë euro.
Duke e parë se situata elektro-energjetike edhe sot është e rëndë dhe mund të shkojë drejt kolapsit total, i pata kërkuar kryeministrit: që ministrat e tij të kalojnë më shumë orë pune në KEK, që të “mërdhijnë” duke kërkuar zgjidhje; që ta rishikojë projektin e Kosovës së Re; që ta rishikojë projektin e gazsjellësit Shkup-Prishtinë; që të bëjnë marrëveshje për blerje të energjisë sa nuk është bërë tepër vonë…
Por nga gjithë këto e masa të tjera emergjente e afatgjate për përballjen e kolapsit të mundshëm energjetik, ai e ministrat e tij kanë vendosur që të navigojnë në internet dhe të gjejnë modele të kursimit të energjisë, e t’ia kalojnë popullit për t’i lexuar.
Dhe natyrisht të mos harrojnë të na thonë se “Ky dimër do të jetë i rëndë”!
Plaga energjetike e Kosovës, që kullon, nuk shërohet me këshilla nga interneti, por me vendime të mëdha të Kryeministrit.
Luaj nga vendi Albin Kurti, mos u tut! See less