Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të bëjë zgjidhje ne lidhje me grevën në arsim, në të kundërtën të jap dorëheqje.
Ndër tjerash, Haradinaj përmes një postimi në Facebook ka thënë se nuk ekziston asnjë rast tjetër në botë që shkollat të jenë të mbyllura në kohë paqeje për një muaj.
“Nuk ka një rast tjetër në kohë paqeje që shkollat mbeten të mbyllura një muaj. Kryeministri ose duhet të gjejë zgjidhje, menjëherë, ose duhet ta pranojë se është i paaftë dhe të lëshojë rrugë”, ka shkruar ai në Facebook.
Shkrimi i tij i plotë:
Ndale grevën ose jep dorëheqje Albin Kurti! Nuk ka një rast tjetër në kohë paqeje që shkollat mbeten të mbyllura një muaj. Kryeministri ose duhet të gjejë zgjidhje, menjëherë, ose duhet ta pranojë se është i paaftë dhe të lëshojë rrugë! Debati që ai e ka hapur me sindikatat, është tallje me një popull dhe shprehje e paaftësisë së tij. Sindikatat mund të jenë aty për t’ia nxirë jetën atij e çdo kryeministri tjetër dhe mund të jenë kundër tij e me dreqin e me të birin, por ai që duhet të gjejë zgjidhje është kryeministri e askush tjetër! Kush je ti që i ke dhënë të drejtë vetes që t’i lësh në rrugë 300 e sa mijë fëmijë!? A e di që e ke bllokuar krejt shtetin me kryeneqësinë tënde! Shkarkoje që sonte ministren e arsimit dhe merr vendim për hapjen e shkollave. Mos shko më larg sepse edhe ashtu ke kapërcyer çdo kufi!Boll ma!