Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se kriza ekonomike qytetarëve iu ka “mbërritur në asht”, për këtë thotë se ‘durimi është sosur”.
Reagimi i Haradinajt vjen pasi Ministria e Financave e ka kërkuar listën e grevistëve për t’iu ndalur pagat.
“Kryeministër mos e kërko fajin te punëtorët por te vetja jote. Ka më shumë se një vit e gjysmë që ti tallesh me ta, për të mos thënë se po i vjedhë ata”, ka shkruar Haradinaj në Facebook, të enjten.
Ai ka shtuar se “punëtorët janë në të drejtën e tyre dhe grevat janë mjeti i vetëm që u ka mbetur në dorë”.
“Ju kryeni punën tuaj. Miratojeni me urgjencë Ligjin e Pagave dhe reflektoni ndryshimet që kanë ndodhur. Ligji duhet të reflektojë rritjen enorme të çmimeve dhe inflacionin, që zyrtarisht ka mbërritur në 19.2%. Çdo formulë tjetër do t’u kthehet në bumerang. Është sosur durimi”, ka mbaruar postimi i Haradinajt në Facebook.