Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kujtuar heroin e kombit Sali Çekaj në 24-vjetorin e rënies.
Haradinaj ka thënë se Sali Çekan ishte atdhetar shumëdimensional.
“Nderojmë veprën e heroit të luftës së lavdishme çlirimtare, Sali Çekaj, në ditën e rënies së tij dhe tërë sakrificën për liri të Brigadës 138 “Agim Ramadani”.
“Sali Çekaj, luftëtar e atdhetar shumëdimensional, ra heroikisht 24 vjet më parë së bashku me bashkëluftëtarët e tij; Shefqetin, Mejdiun, Luanin, Ilirin, Hysniun, Izetin, Bejtën, Azizin, Afrimin, Fatosin, Fisnikun e Leonardin. Ata ranë për të mbetur gjallë në kujtesën e popullit dhe shtetit të Kosovës!”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook.
Ai po ashtu ka kujtuar të rënët në Rugovë e Podgur si dhe sakrificën e Batalionit “Atlantiku”, Yllin, Agronin dhe Mehmetin.
“Po ashtu, sot kujtojmë të rënët e pranverës së përgjakur në Rugovë e Podgur, të prirë nga Komandanti Selman Lajçi. Kujtojmë sakrificën e Batalionit “Atlantiku” – Yllin, Agronin dhe Mehmetin. Ata janë tregimi më i mirë për luftëtarin shqiptar ndër breza”, është shprehur Haradinaj.