Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kujtuar ngjarjet e 5 prillit të vitit 1999 ku ranë figura emblematike të UÇK-së e u masakruan shqiptarë në Drenicë e në Gjilan.
Haradinaj ka kujtuar njërin nga bashkëluftëtarët e tij më të zotë që kishte UÇK-ja, Naser Brahimaj.
“Sot në 24-vjetorin e rënies, kujtoj me respekt heroizmin e bashkëluftëtarit tim Naser Brahimaj, njëri prej figurave më emblematike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, jo vetëm në fshatin Shqiponjë e Dukagjin, por edhe në fushëbeteja të tjera anë e kënd Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.
Haradinaj ka kujtuar edhe të vrarët në Rrezallë të Drenicës e në Llovcë të Gjilanit.
“Sot kujtojmë po ashtu vëllezërit dhe motrat tona në Rrezallë të Drenicës dhe në Llovcë të Gjilanit, të cilët u vranë vetëm sepse besonin në liri. Këto masakra, nga të cilat ende ka shumë të pagjetur, janë plagë e pashërueshme edhe sot”, ka shtuar Haradinaj.
Sot bëhen po ashtu 4 vjet prej kur është ndarë nga jeta zëri i UÇK-së, Fetnete Ramosaj.
“Sot gjithashtu, u bënë 4 vjet pa gruan e cila bëri dhe shkroi historinë, zërin e UÇK-së, bashkëluftëtaren time Fetnete Ramosaj.
Përjetësisht përulem para sakrificës së atyre që dhanë nga jeta e tyre për lirinë tonë! Kujtimi për ta do të jetë i përhershëm”, ka përfunduar Haradinaj.