Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në seancën e cila është duke u mbajtur në Kuvend ka deklaruar se marrëveshja me Serbinë do të jetë ndarja finale mes dy vendeve.
Po ashtu, Haradinaj ka bërë të ditur se është pro planit franko-gjerman, si pjesë e marrëveshjes finale me Serbinë, sepse e përfshin rrugën drejt NATO-s.
“Kemi konfirmim direkt nga SHBA-ja, se me këtë marrëveshje që do të përkrahemi për partneritet për paqe dhe për rrugëtimin tonë drejt NATO-s. Për mua, plani franko-gjerman është i pranueshëm, përkrahet nga unë dhe ka të bëjë me komponentët tonë kryesore, ecjen drejt NATO-s. Derisa s’kemi hyrë në rresht në marrëdhënie kontraktuale me NATO-n, Kosova s’është e sigurt. Zhbllokohet anëtarësimi në Këshill të Evropës dhe kandidatura jonë drejt BE-së. Kur jemi tek OKB-ja, rruga jonë mund të jetë e vështirë, por mund të jetë më e avancuar nëse kemi nisur rrugën drejt NATO-s”,
“Në marrëveshjen me Serbinë, Kosova nuk duhet ta kthejë veten në palën humbëse dhe jo të vlerësohet si pala që s’ka kryer punë. Kjo është finalja, kjo është marrëveshja, s’do të ketë më marrëveshje. Nëse Serbisë i kërkohet njohja jonë, e shqyrtojmë. Por të thuhet se ka edhe një marrëveshje këtu, gabojmë. Kjo marrëveshje është ndarja finale me Serbinë”, është shprehur kreu i AAK-së.