Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka treguar të martën se me përfaqësuesin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kanë biseduar për gjetjen e një zgjidhje rreth shtrirjes së sundimit të ligjit në Veriun e Kosovës.
Në atë takim, kanë qenë edhe dy liderët e tjerë opozitarë, Memli Krasniqi (PDK) dhe Lumir Abdixhiku (LDK).
“Gjatë darkës me Escobarin patëm një diskutim të frytshëm për gjetjen e zgjidhjeve për zbatimin e sundimit të ligjit në veri të Kosovës. SHBA-ja është një aleat dhe mik i besuar dhe së bashku do të ruajmë paqen dhe sigurinë”, ka shkruar Haradinaj në Twitter.
Darka e Escobarit për liderët opozitarë është shtruar të mbrëmjen e së martës.
E emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, sot do të takohet edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.
Ndërsa gjatë ditës liderët opozitarë do të kenë takim edhe me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Dy emisarët e BE’së dhe SHBA’së po qëndrojnë në rajon në përpjekje për të arritur një marrëveshje për targat dhe dokumentet e udhëtimit. Pas Prishtinës, të enjten, ata do të priten në Beograd.