Deputeti i LVV-së, Haki Abazi ka folur për iniciativën e “Ballkanit të Hapur”.
Abazi ka thënë se nëse Kosova do të pranohej si shtet i pavarur nga Serbia, nuk do të ishte problem pjesëmarrja në cilindo format të diskutimeve për bashkëpunim rajonal.
“Nëse Kosova do pranohej prej Serbisë si shtet i pavarur, sipas përkufizimit që njohja të jetë në qendër të marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve nuk do ishte problem që ne të kemi pjesëmarrje në cilindo format të diskutimeve për bashkëpunim rajonal”, tha ai në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.
Abazi thotë se nuk ka arsye që Kosova të futet në këto “eksperimente të reja” kur për Serbinë nuk janë të mjaftueshme CEFTA, Këshilli Rajonal i Bashkëpunimit në Sarajevë e procesi i Berlinit.
“Kur kemi CEFTEN, Këshillin rajonal të bashkëpunimit në Sarajevë, zotimet e Sofjes për lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve, procesin e Berlinit, të gjitha këto nuk na qenkan të mjaftueshme për ta testuar vullnetin politik të Serbisë për një barazi dhe respektim të plotë të shtetësisë së Kosovës atëherë cila është arsyeja të futemi në këto eksperimentime të reja”, tha më tej Abazi.