Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka folur për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke theksuar se fatkeqësisht kjo do të jetë pjesë e marrëveshjes finale me Serbinë.
Madje, ai tha se nuk beson që do të ketë ndryshim Kushtetues sa i përket Asociacionit, por në rast se ndodh një gjë e tillë është i gatshëm të japë dorëheqje nga pozita e deputetit.
“Jam i bindur që çështja e asociacionit është pjesë e diskutimit fatkeqësisht por forma se si do të përfshihet në marrëveshjen finale dhe respektimi i plotë i gjykatës kushtetuese duhet të jenë limitet të cilat duhet të ecet para”, tha Abazi në një intervistë për Ekonomia Online.
“Sikur të mos ishte asociacioni pjesë e marrëveshjes sigurisht që s’do të duhej të flisnim për të. Duhet të fillohet të diskutohet si pjesë e marrëveshjes finale. Nuk besoj që do të ketë ndryshim kushtetues për të akomoduar kompetenca ekzekutive të asociacionit. Nëse ndodh një gjë e tillë unë jam i pati që jap dorëheqje”.
Sipas tij, është në interes të BE-së që marrëveshja finale të arrihet sidomos pas konfliktit Rusi-Ukrainë.
“Të dyja janë pyetje shumë të vështira. E pat se si përdorën presionin e vizave për çështjen e targave. Instrumentet e presionit janë të shumta në dorën e BE dhe sigurisht që këto presione do të vazhdojnë por unë mendoj që është në interes të BE që marrëveshja finale të arrihet sidomos pas konfliktit Rusi-Ukrainë”, tha Abazi.