Përparim Gruda – Koordinator i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në PDK, ka akuzuar Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu se po dezinformon dhe manipulon publikisht në lidhje me vendimin e Gjykatës së Apelit për rastin e noterëve.
Gruda thotë se krejt çfarë Gjykata e Apelit ka vendosur në këtë vendim që ministrja e paraqet si fitore të saj, është refuzimi i ankesës vetëm lidhur me propozimin e disa paditësve për dhënien e aktgjykimit plotësues, përmes të cilit paditësit kanë kërkuar që të detyrohet ministrja të vazhdojë me procesin e emërimit të kandidatëve për noterë, por duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë që kishte rrëzuar vendimin e ministres Haxhiut.
Ai i ka bërë thirrje Ministres së Drejtësisë që të zhbllokoj ëprocesin e emërimit të noterëve të rinj, duke respektuar në përpikëri legjislacionin në fuqi dhe vendimet gjyqësor.
Postimi i plotë:
Ministrja e Drejtësisë dezinformon dhe manipulon publikisht në lidhje me vendimin e Gjykatës së Apelit për rastin e noterëve. Ajo në postimin e saj, vendimin e gjykatës e paraqet si fitore të saj, ndërkohë që e vërteta është krejt tjetër:
Gjykata Themelore në Prishtinë, me aktgjykimin e saj A.nr.529/2020, të datës 1 shkurt 2022, e kishte aprovuar në tërësi si të bazuar kërkesëpadinë e paditësve, duke vërtetuar se procesi i dhënies së provimit të noterisë kishte qenë i ligjshëm dhe i drejtë, dhe se vendimi i Ministres Haxhiu për anulimin e këtij procesi kishte qenë i paligjshëm.
Krejt çfarë Gjykata e Apelit ka vendosur në këtë vendim që ministrja e paraqet si fitore të saj, është refuzimi i ankesës vetëm lidhur me propozimin e disa paditësve për dhënien e aktgjykimit plotësues, përmes të cilit paditësit kanë kërkuar që të detyrohet ministrja të vazhdojë me procesin e emërimit të kandidatëve për noterë, por duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë që kishte rrezuar vendimin e ministres Haxhiu.
Pra, Gjykata e Apelit ka vërtetuar dhe ka lënë në fuqi aktgjykimin e shkallës së parë, përkatësisht ka rikonfirmuar se procesi i dhënies se provimit të noterisë ishte i ligjshëm dhe i drejtë.
I bëj thirrje Ministres së Drejtësisë që mos të tentoj të manipuloj me vendimet e gjykatës, t’i zbatoj ato dhe të zhbllokoj procesin e emërimit të noterëve të rinj, duke respektuar në përpikëri legjislacionin në fuqi dhe vendimet gjyqësor.