Richard Grenell, ish i dërguar special i ish presidentit amerikan Donald Trump, për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se ai nuk pret shumë nga procesi i dialogut i udhëhequr nga Brukseli.
Grenell është deklaruar edhe rreth kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se ai nuk e sheh Kurtin si një lider të mirë për Kosovën dhe se, sipas tij, të njëjtin mendim e ndan edhe qeveria aktuale e SHBA-së, raporton “Politika”, përcjell lajmi.net.
“Nuk mendoj se ai është një lider i mirë për popullin e Kosovës, liderët e tjerë ishin më të mirë. Nuk është vetëm mendimi im, besoj se edhe qeveria aktuale e SHBA-së e sheh kështu. Mos harroni se ai shkoi në Uashington, nuk arriti as në Shtëpinë e Bardhë, nuk hyri brenda. Ai ishte matanë rrugës me stafin e administratës. Kjo nuk mund të ndodhte nën Trump. Do të organizonim takime të nivelit të lartë dhe do të dërgonim mesazhe të forta dhe të qarta. Mos harroni se Kurti nuk pranoi të miratojë gazsjellësin dhe Kosova ka nevojë për energji. Kjo nuk ka kuptim”, ka thënë ai.
Më tej, Grenell ka thënë se Kosova ka bërë më shumë përparim gjatë kohës sa Hashim Thaçi ishte president.
“Evropianët nuk duhej ta vendosnin Hashim Thaçin në Hagë. Populli i Kosovës, nëse dëshiron të ecë përpara, e di se ne kemi bërë shumë më tepër përparim kur Thaçi ishte president”, ka shtuar ai.
Po ashtu, ish i dërguar special amerikan, ka thënë se sipas tij, nga BE-ja duhet të pritet shumë fjalë e pak veprime.
“Duhet të pyesni Bashkimin Evropian. Tashmë ata janë në krye, sepse administrata Biden ka deklaruar se nuk dëshiron të përfshihet dhe ia lë nismën Bashkimit Evropian. Nuk mendoj se është bërë asgjë, por as nuk pres shumë. Nëse Bashkimi Evropian është në krye, do të keni shumë biseda dhe pak veprime”, ka vijuar tutje Grenell.
Përveç këtyre, ai ka komentuar edhe Marrëveshjen e Uashingtonit, për të cilën ka thënë se disa pjesë janë thyer.
“Pjesë janë thyer, pjesë janë ende duke u përpjekur të zbatohen, por nuk ka udhëheqje amerikane, nuk ka presion për t’u zbatuar”, ka thënë pos tjerash Grenell.