Anëtaret e Bordit të Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës, me rastin e 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas, kanë premtuar më shumë angazhim rreth punësimit të grave në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Deputetet nga VV, LDK, PDK e AAK, akuzat i drejtuan edhe ndaj partive politike, për të cilët thanë se bullizohen shpesh herë nga burrat në Kuvend.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Tinka Kurti, tha se angazhimin e saj do të veçojë në punësimin e grave, ndërsa premtoi përshpejtim të ligjit për lehonat.
“Sot në ditën ndërkombëtare te gruas jemi bashkë me deputete e partive tjera. Këtë vit angazhimin tonë do ta fokusojmë më shumë rreth punësimit të grave. Çdo aktivitet tonin do ta lidhim me këtë teme sepse punësimi është kusht për barazi. Në do të merremi me shumë ligje. Leja e lehonisë do të kenë vëmendje tonë të shtuar kur ligji do të jetë në Kuvend për miratim. Ne nuk mund të jemi të kënaqur deri sa secila grua që kërkon punë të punësohet dhe të ketë siguri në punë”, tha ajo.
E deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, tha se gratë nuk paguhen sa burrat, ndonëse e bëjnë punën e njëjtë.
“Sot pavarësisht që gratë janë pjesë e barabartë e të gjitha kurrikulave dhe profesioneve, në momentin që ato dalin në tregun e punës amplituda bie me rrëmbim të madhe në favor të burrave. Në tregun e punës gratë me profesione të njëjta ose nuk gjejnë vende të punës, nuk marrin besueshmërinë e duhur, ose për të njëjtën profesion paguhen më pakë se burrat. Andaj synimi ynë është se te aspekti i edukimit çdo vit të ketë programe të ndryshme”, tha ajo.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku, tha se diskriminim ka edhe brenda partive politike, teksa tha se me nivelin lokal nuk udhëheq asnjë grua.
“Gratë janë të diskriminuara edhe në Kuvendin e Kosovës, pavarësisht te cilës parti i takon, unë vetë e kam parë se si ato përqeshën dhe bullizohen nga deputetët. Diskriminimi bie edhe në partitë politike. Edhe pse në parti kemi ligjin për barazi gjinore, tani edhe pse i kemi 50 gra edhe 50 burra, shumë pak zbatohet. Fatkeqësisht për momentin nuk kemi as një kryetare grua”, tha ajo.
Ndërsa deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi, kërkoi më shumë subvencionim për gratë që vetëpunësohen.
Kritika pati edhe për sektorin publik, për të cilin tha se nuk ka përfaqësim të barabartë gjinor.
“Edhe pse ligji për barazi gjinore rregullon çështjet themelore të barazisë gjinore në jetën publike, të mbrojtjes dhe trajtimit të barabartë të grave e burrave, për mundësitë dhe shanset e barabarta për ushtrimin e të drejtave, si dhe për pjesëmarrjen e ndihmesën e tyre në zhvillimin e të gjitha fushave të jetës shoqërore, Kosova ende duhet te punojë ta përmirësojë këtë situatë. Ende ne sektorin publik nuk shihet një përfaqësim i barabartë gjinor si në pozicione ashtu edhe në punësim. Prandaj duhet subvencionim dhe lehtësira për t’i nxitur gratë te vetëpunësohen dhe ta mendojnë zhvillimin e tyre si lidere e vendimmarrëse edhe ne sektorin e biznesit e punësimit”, tha ajo.