Gjykata Supreme e Kosovës ka deklaruar se e ka përmbyllur vitin 2024 me një varg suksesesh.
Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se 2024-në është shënuar shkallë e lartë efikasiteti në zgjidhjen e çështjeve duke rezultuar me 92.43 për qind, (përqindje kjo e kalkuluar duke llogaritur numrin e lëndëve të pranuara dhe atyre të zgjidhura, gjatë vitit).
“Në total, gjatë vitit 2024 janë kryer 2.187 lëndë derisa të pakryera rezultojnë vetëm 391 lëndë, ku përfshihen numër i madh i lëndëve të pranuara në fund të vitit – në një numër prej 649 sosh. Gjatë tërë vitit janë pranuar 2.366 lëndë të reja, derisa gjithsej në punë kanë qenë 2.578 lëndë”.
“Viti 2024 shënon lansimin e Udhëzuesit të Gjykatës Supreme për matjen e dënimit, pas përfundimit të procesit të revidimit të tij dhe publikimin e dy përmbledhjeve; Përmbledhjen nga praktika e Gjykatës Supreme në çështje civile dhe penale, dhe Përmbledhjen me vendime të përzgjedhura të Gjykatës Supreme të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, gjatë vitit 2024 me një ceremoni solemne është shënuar gjashtëdhjetë-vjetori i themelimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, si ngjarje e cila i ka paraprirë Konferencës së 14-të të Kryetarëve të Gjykatave Supreme të Evropës Qendrore dhe Lindore, e cila u organizua nga Gjykata Supreme e Kosovës me mbështetjen e Këshillit Gjyqësor dhe USAID e INL.
Viti 2024 përfshin edhe një varg aktivitetesh tjera me rëndësi, mes tyre konferenca punëtori, vizita jashtë vendit, vizita të delegacioneve të ndryshme në Gjykatë Supreme, përfshirë vizita të studentëve, nxënësve etj..
Viti 2024 shënon plotësimin e organogramit të Gjykatës Supreme me 19 pozita të parapara për gjyqtarë. /Klankosova.tv