Edhe pse e themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, Gjykata Speciale i raporton për punën e saj OKB-së në New York, Sekretarit të Përgjithshëm të saj Antonio Guterrese e përmes tij Këshillit të Sigurimit, si dhe shteteve anëtare, ku bën pjesë edhe Serbia. Raporti do të diskutohet në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit më 27 prill 2023, ku zakonisht merr pjesë presidentja Vjosa Osmani.
OKB nuk e njeh shtetin e Kosovës, as Sekretari i Përgjithshëm i saj dhe as Këshilli i Sigurimit, për shkak të kundërshtimit të Rusisë dhe Kinës, të cilat vazhdojnë të jenë aleate të ngushta të Serbisë.
Përderisa UNMIK-u dhe EULEX-i i raportojnë rregullisht OKB-së sepse kanë edhe mandat nga kjo organizatë, mbetet enigmë dhe e çuditshme se përse Gjykata Speciale e Kosovës, që thuhet se është pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, i raporton një organizate e cila nuk e njeh Republikën e Kosovës dhe për shkak se nuk është anëtare e saj vazhdon të përballet me pengesa e vështirësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare.
Përmes OKB-së dhe Sekretarit të saj, Gjykata Speciale e Republikës së Kosovës në fakt i raporton tërthorazi edhe Serbisë sepse ajo është shtet anëtar Kombeve të Bashkuara dhe çdo anëtari i dërgohen raportet e sekretarit Guterrese.
Në raportin zyrtar të OKB-së për Kosovën, që mban datën 5 prill 2023, të cilin e ka siguruar gazeta “Epoka e Re”, në aneksin 2, Gjykata Speciale raporton për aktivitetin e saj për periudhën 16 shtator 2022 deri më 18 mars 2023. Për këtë raport shkruan se është i të dyjave, i Dhomave të Specializuara dhe i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, pra i gjykatësve dhe i prokurorëve.
Aty nuk është përfshirë fillimi i gjykimit ndaj ish—krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, por për këtë proces Gjykata Speciale do t’i raportojë OKB-së me dokumentin e radhës, pas disa muajve.
Mirëpo, për rastin ndaj ish-liderëve politikë të UÇK-së raportohet se çfarë përgatitjesh po bëhen për fillimin e procesit gjyqësor dhe numërohen të gjitha akuzat e prokurorisë ndaj tyre.
Në fjalinë e parë në dokument thuhet se Gjykata Speciale ka realizuar arritje shumë të mëdha dhe vazhdohet me njoftimin për dënimin e pjesëtarit të parë të UÇK-së, Sali Mustafes, me 26 vite burg.
Në vijim, Gjykata Speciale vazhdon të rrëfehet para OKB-së me informata të tjera, si për ecurinë e rasteve ndaj Pjetër Shalës, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.
Pastaj flitet për vizitat e kryetares së Gjykatës Speciale Ekaterina Trendafilova në Kosovë nga 20 deri më 23 prill të vitit të kaluar, gjatë të cilës, ajo ka biseduar me shoqërinë civile, media, studentë të juridikut, Ministren e Drejtësisë së Kosovës, por nuk e përmend që emrin e ka Albulena Haxhiu.
Kjo ministre është e vetmja zyrtare e shtetit të Kosovës që gjykatësja bullgare ka takuar gjatë vizitës në Prishtinë, ndërsa në dokument thuhet se ajo ka pasur takime të ndara me mjaft shumë ndërkombëtarë në Kosovë, përfshirë të gjithë ambasadorët e shteteve të BE-së në vendin tonë, Shefin e Zyrës së BE-së, shefin e EULEX-it, të UNMIK-ut, etj, etj, mirëpo jo edhe për shembull Glauk Konjufcën, kryetarin e Kuvendit të Kosovës, që e ka themeluar Gjykatën Speciale, apo zyrtarë tjerë të Republikës së Kosovës.
Natyrisht, kryetarja e Gjykatës me seli në Hagë, që nuk ka asnjë nishan të shtetit të Kosovës (flamur, stemë, republikë, etj) në objektin e saj, e ka takuar edhe shefen e UNMIK-ut në Kosovë dhe e ka njoftuar se si po ecin punët në proceset gjyqësore atje.
Me raport njoftohet edhe për mjaft takime në selinë e Gjykatës Speciale dhe jashtë saj me përfaqësues të ndryshëm të BE-së dhe shteteve anëtare të saj dhe shteteve tjera sponsore, përshirë ato që nuk e njohin as pasaportën e Kosovës e lerë më pavarësinë saj, siç është për shembull Spanja.
Gjëja tjetër e çuditshme në raportin e OKB-së të cilin në fakt e përgatit UNMIK-u në Kosovë, është se një pjesë e veçantë titullohet: Kosova Veriore, ku flitet gjerë e gjatë për situatën e përgjithshme, bisedimet me Beogradin dhe për sigurinë në këtë pjesë të Republikës së Kosovës.
Raportime të tilla të Gjykatës Speciale, sipas hulumtimit të gazetës, janë bërë vazhdimisht.
Mbetet të shihet se çfarë qëndrimi do të mbajë për këtë skandal përfaqësuesi i Kosovës në takimin në New York, të enjten, më 27 prill.