Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari me rastin e 12 Qershorit – Ditës së Çlirimit, ka uruar gjithë qytetarët duke u shprehur se 23 vjet më parë u konfirmua përgjithmonë fitorja e vlerave të paqes, lirisë dhe humanitetit kundër së keqes.
Në mesazhin e tij, Jashari ka shprehur falënderim dhe mirënjohjen më të thellë për NATO-n, SHBA-në dhe vendet demokratike mike.
Mesazhi i tij:
Të dashur qytetarët e Republikës së Kosovës, ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, miq ndërkombëtarë.
Duke nderuar dhe kujtuar rezistencën dhe luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmorët e kombit dhe sakrificën e çdo qytetari të vendit tonë, ne nderojmë atdheun dhe të ardhmen tonë.
Gjithashtu shprehim falënderimin dhe mirënjohjen më të thellë për NATO-n, SHBA-në dhe vendet demokratike mike, për kontributin dhe rolin kyç në kurorëzimin e aspiratës tonë shekullore.
Njëzet e tre vite më parë u konfirmua përgjithmonë fitorja e vlerave të paqes, lirisë dhe humanitetit kundër së keqes, krimit e barbarisë.
U konfirmua se populli ynë liridashës dhe paqedashës është pjesë e perëndimit dhe që nuk ka asgjë që mund të na mposhtë.
Me miqtë tanë udhëhequr nga SHBA, do të punojmë dhe kontribuojmë së bashku për të mbrojtur paqen, lirinë, sigurinë dhe stabilitetin kudo në botë.
Urime! Ditës së Çlirimit.