Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka njoftuar se në takim me ministrin Federal për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, Alexander Schallenberg, ndër të tjera kanë biseduar edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një konferencë për media, Gërvalla tha se në takim me ministrin austriak ka përmendur gatishmërinë dhe seriozitetin e Kosovës për procesin e dialogut, i cili sipas saj do të përfundonte shumë shpejt nëse Serbia nuk do të vazhdonte me përpjekjet për bllokim.
“Me homologun folëm edhe për dialogun me Serbinë duke vënë në pah edhe propozimet tona konkrete – nënvizova gatishmërinë tonë në këtë proces i cili do të përfundonte shumë shpejt nëse Serbia do të hiqte dorë nga pozicioni i saj drejt bllokimit të këtij procesi”, tha kryediplomatja para mediave.
Ajo tutje tha se në takim kanë biseduar edhe për thellimin e bashkëpunimit Kosovë-Austri, duke potencuar se në mesin e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, Austria meriton të veçohet si akter i rëndësishëm i integrimit evropian të Kosovës.
“Qindra mijëra qytetarë të Kosovës kanë lidhje të ngushta me Austrinë. Angazhimi i vazhdueshëm i Austrisë për Kosovën është dëshmi e marrëdhënieve të mira mes dy vendeve. Në mesin e shteteve anëtare të BE-së, Austria meriton të veçohet si akter i rëndësishëm i integrimit evropian të Kosovës”.
“Homologun tim e falënderova për mbështetjen aktive në përpjekjet tona për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Austria është shtyllë e rëndësishme për përfaqësimin e interesave të rajonit tonë dhe veçanërisht të Kosovës”, është shprehur ajo. /Telegrafi