Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, do të marrë pjesë sot në takimin e 27 ministrave të Jashtëm të vendeve të BE-së.
Takimi pritet të mbahet në Bruksel.
‘’Takimi i nivelit të lartë mbahet në margjinat e mbledhjes së Këshillit për Politikë të Jashtme të BE-së, që kryesohet nga Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell, ndërsa pritet të diskutohet bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së në fushat e Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë, posaçërisht në kontekstin e agresionit rus në Ukrainë.Në ftesën për zv.kryeministren Gërvalla, përfaqësuesi Borrell ka theksuar se për BE-në, Ballkani Perëndimorë është partneri më i afërt, me të cilin ndajnë lidhje të fuqishme politike, ekonomike, të sigurisë dhe gjeografike, dhe një vizion të përbashkët për të ardhmen’’, thuhet në njoftim.
Po ashtu është bërë e ditur se në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së dhe homologëve nga vendet e Ballkanit Perëndimorë, pritet të diskutohen edhe zhvillimet e fundit në rajon.