Kremlini duke përdorur disa nga radikalët serbë, kërkon të ndez një luftë tjetër në Ballkan me qëllim të largimit të vëmendjes nga Ukraina.
Kështu thekson gazetarja serbe Vesna nga Balkanswer, e cila nuk dëshiron të identifikohet, duke shtuar se Moska po e përdor qeverinë e Serbisë për të rritur tensionet në rajon.
Sipas saj, serbët në Kosovë i kanë të gjitha të drejtat, më shumë se çdo popull tjetër në rajon.
“Serbët i kanë të gjitha të drejtat në Kosovë, më shumë se çdo komb tjetër në Evropë. Ato rregullohen nga kushtetuta e vendit”, thekson gazetarja serbe nga Kosova për median ukrainase Gazeta.
Vesna tregon se roli i Rusisë në rajon është mjaftë shkatërrues.
“Serbët këtu [në Kosovë] nuk kanë autonomi. Nëse do të kishin një autonomi, mund të lindte një konflikt i ri. Rusët së bashku me lidershipin serb po kërkojnë një autonomi të tillë për serbët e Kosovës. Roli i Rusisë në rajon është përgjithësisht mjaft shkatërrues”, tregon Vesna.
Gazetarja shton se serbët e Kosovës duhet të pranojnë dokumentet zyrtare si të gjithë qytetarët në vend.
“Qeveria e Kosovës paralajmëroi se nëse hiqen barrikadat [të vendosura nga strukturat paralele serbe në veri], vendosja e reciprocitetit për targat dhe dokumentet do të shtyhet për një muaj. Serbët e Kosovës duhet të pranojnë dokumentet zyrtare të Kosovës, si të gjithë qytetarët tjerë në vend”, shton ajo.
Në fund, ajo tërheq vërejtjen se veriu i Kosovës kontrollohet nga krimineli serb Milan Radoiçiq.
“Kjo zonë kontrollohet nga krimineli serb Milan Radoiçiq, i cili është në listën e sanksioneve amerikane. Ai ka lidhje të forta me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe të dy janë të lidhur me Vladimir Putinin”, përfundon ajo.
Vendim i Qeverisë së Kosovës për shtyrje të masës së reciprocitetit në rast të heqjes së barrikadave, erdhi pas një takimi që patën udhëheqësit e shtetit me ambasadorin amerikan Jeff Hovenier.
Vendimi i 29 qershorit i ekzekutivit kosovar parasheh lëshimin e dokumentit për hyrje-dalje për të gjithë personat që posedojnë dokumente serbe, njofton KP.