Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (KiE), ka zhvilluar takim me ambasadorët e shteteve anëtare të KiE-së, të akredituar në Kosovë.
Me këtë rast, palët janë pajtuar njëzëri që këto takime të jenë të rregullta si dhe të vazhdojë puna e përbashkët me qëllim të koordinimit të procesit të anëtarësimit të Kosovës në KiE.
Kështu ka bërë të ditur shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, i cili ka udhëhequr këtë takim.
“Sot, me kërkesë e në mungesë të kryesueses Saranda Bogujevci, pata nderin që të udhëheq takimin e delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, me ambasadorët e shteteve të KiE-së”.
“Me këtë rast, njëzëri u pajtuam që këto takime të jenë të rregullta, si dhe të vazhdojë puna e mirë e përbashkët e delegacionit tonë dhe vendeve mike, me qëllim të koordinimit për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka shkruar Gashi në Facebook.