Instituti GAP publikoi sot raportin “Pagesat për konsumin e energjisëelektrike në komunat veriore në Kosovë”, ku thuhet se kosto e shpenzuar për mbulimin e shpenzimeve për konsumin e energjisë elektrike në komunat veriore në Kosovë, gjatë 10 viteve të fundit është 11 milionë euro në vit, ndërsa si total, janë shpenzuar 132.5 milionë euro.
GAP duke dhënë një historik, ka thënë se çështja e energjisë elektrike të konsumuar në komunat veriore të Kosovës ka mbetur e pazgjidhur nga viti 1999. Sipas GAP, kjo ka ndodhur meqë, për shkaqe politike, Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë (KEDS) nuk ka operuar në këtë pjesë, dhe rrjedhimisht nuk ka mundur të mbledhë mjetet financiare përmes faturimit të konsumatorëve. Për këtë arsye, nga viti 1999 e deri në 2017, kostot e këtyre shpenzimeve janë konsideruar si “humbje të energjisë” dhe rrjedhimisht janë përfshirë në faturat e konsumatorëve të qyteteve tjera të Kosovës.
“Është llogaritur që përafërsisht faturat e qytetarëve në këtë periudhë ishin për rreth 3.5% më të shtrenjta.Pas kësaj periudhe, kur u vendos nga Gjykata e Apelit që të mos vazhdohet kjo praktikë, këto kosto u mbuluan nga Operatori i Sistemit të Transmisionit të Kosovës (KOSTT) dhe me asistencë financiare nga qeveria. Mesatarisht, kosto e shpenzuar për mbulimin e këtyre shpenzimeve gjatë 10 viteve të fundit është 11 milionë euro në vit, ndërsa si total, janë shpenzuar 132.5 milionë euro. Deri në vitin 2018, kjo kosto ishte më e ulët se 10 milionë euro në vit; ndërsa nga viti 2018, ka filluar të rritet, duke arritur kështu vlerën më të lartë në vitin 2021, prej rreth 38 milionë euro.
Në mënyrë që të ofrohet një zgjidhje për këtë situatë, në vitin 2013 u nënshkrua Marrëveshja për Energjinë në mes të Kosovës dhe Serbisë, përcjellur nga një marrëveshje për implementimin e marrëveshjes së parë në vitin 2015. Mirëpo, asnjëra nga këto nuk kishin gjetur zbatim, deri në arritjen e një marrëveshjeje të re më 21 qershor të këtij viti, ku Serbia dhe Kosova u dakorduan për aprovimin e një udhërrëfyesi për zbatimin e marrëveshjeve për energjinë të arritur në vitin 2013 dhe 2015. Me ç’rast, më 24 qershor 2022, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ia ka lëshuar licencën ndërmarrjes “Elektrosever”; e cila do të blejë dhe shes energji elektrike për të shërbyer konsumatorët e komunave veriore.
Në rast të zbatimit të kësaj marrëveshjeje, qytetarët në komunat veriore do të faturohen dhe do të paguajnë për energjinë elektrike të konsumuar. Andaj, një rekomandim nga Instituti GAP është që të sigurohet një zbatim adekuat dhe sipas afateve i kësaj marrëveshjeje nga të gjitha palët e përfshira.