Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, në seancën e Kuvendit ka ngritur shqetësimin e saj lidhur me, siç ka thënë ajo, largimin masikivisht të qytetarëve nga Kosova.
Sipas saj, edhe pse situata politike është e destabilizuar është se pikërisht, temat e mëdha në këtë vend e kanë vënë në hije qytetarin dhe përditshmërinë e vështirë të tij.
Musliu ka thënë se neglizhenca për të trajtuar shqetësimet e përditshme të qytetarëve ka ndikuar që sot të kemi ikje masovike nga Kosova dhe përtej kësaj, çdo i dyti person më të cilin e trajtojmë këtë fenomen, shprehet: “Me mundësinë e parë do të iku nga këtu”.
Fjalimi i plotë:
Edhe pse ditëve të fundit, tema kryesore është situate e krijuar në veri, unë sot do të flas për një çështje tjetër, për mendimin tim, po aq shqetësuese e që është largimi masovik i shqiptarëve nga Kosova, veçanërisht i të rinjëve.
Arsyeja pse po flas për këtë temë, edhe pse situata politike është e destabilizuar është se pikërisht, temat e mëdha në këtë vend e kanë vënë në hije qytetarin dhe përditshmërinë e vështirë të tij.
Këtë e kam thënë me dhjetra herë dhe vazhdoj ta mbrojë qëndrimin tim se krahas temave, të ashtuquajtura të mëdha të politikës, po harrohet se mirëqënja e qytetarit është tema më e madhe që duhet të trajtohet nga politikbërësit dje, sot, nesër dhe gjithëmonë.
Neglizhenca për të trajtuar shqetësimet e përditshme dhe të vërteta të qytetarëve tonë, ka ndikuar që sot të kemi ikje masovike nga Kosova dhe përtej kësaj, çdo i dyti person më të cilin e trajtojmë këtë fenomen, shprehet: „Me mundësinë e parë do të iku nga këtu”.
Si deputete e këtij kuvendi kam marrë shumë shkresa nga të rinjët që po e lëshojnë Kosovën përmes të cilave ata ma shprehin dhimbjen e tyre dhe ma bëjnë të ditur se nuk po e marrin me dëshirë këtë hap.
Ndjehem keq që këta të rinjë nuk kanë platformën e duhur për tu angazhuar në shtyerjen përpara të ideve të tyre këtu, në vendlindjen e tyre, prandaj po e shfrytëzoj platformën time për t´ju dhënë atyre simbolikisht hapësirën time që tu dëgjohet zëri.
Shpresoj që kjo thirrje të gjej përkrahje dhe të fillohet të punohet për ta zbutur sadopak këtë ekzod të shqiptarëve.
Letra e fundit që kam marrë është ajo e një të riu me emrin Behar që ka përfunduar studimet në Juridik, ka përfunduar shumë trajnime dhe është angazhuar në tryeza të ndryshme me tema nga fusha e drejtësisë.
Behari ndër të tjera shkruan: “Pas shumë aplikimeve, zhgenjimeve dhe vështirësive u detyrova të kap valixhen dhe të marrë rrugën e gurbetit. Ishte dhimbje e madhe largimi nga shtëpia, lagjja e vendlindja. Ishte një mërzi e madhe largimi nga familja, miqët dhe shokët.
Ne po largohemi me zemër të thyer, me pak shpresë për tu kthyer një ditë.
Për fund, shkruan Behari, e kam një lutje për institucionet e vendit tim, qofshin ato lokale apo qendrore, që të punojnë sa më shumë që rinia jonë të mos jetë e detyruar të largohet. Krijoni përspektivë dhe mundësi punësimi në Kosovën tonë të dashur.“
Tani, ne jemi duke u qeverisur nga një qeveri e cila në pushtet erdhi me bajrakun e propagandës. Një propagandë që një gjenerate të tërë ua mbolli në tru se në këtë vend nuk jetohet përderisa ky vend nuk qeveriset nga Albin Kurti.
Dhe populli i besoi rrenave të tij, e bëri Kryeministër.
Situata e vështirë ekonomike dhe politike është një arsye për ikje por jo kryesorja. Arsyeja kryesore është zhgënjimi me ata që u shesin ëndrrat e tyre për një grusht vota.
Është zhgënjimi me degjenerimin e politikbërjes në këtë vend. Është zhgënjim nga vrasja e shpresës së tyre nga ata që me shpresën e tyre erdhën në pushtet.
Është zhgenjim nga mungesa e reformave dhe nëpërkëmbja e meritokracisë. Është frika nga e ardhmja e fëmijëve të tyre nesër.
Në këtë kontekst Albin Kurti, sot dhe çdo kryeministër nesër e ka obligim të kujdeset që rinia e këtij vendi të angazhohet për të ardhmen e tyre këtu. Çdo qeveri duhet ta ketë top prioritet zhvillimin e vendit dhe krijimin e përspektives për të jetuar me dinjitet.
Politika nuk është fushë ku vetëm flitet, politika është fushë ku duhet edhe të bëhët, të krijohet dhe të zhvillohet.
Sot ua përkushtova fjalën time të gjithë atyre, zëri i të cilëve nuk dëgjohet, por ka ardhur koha që secili qytetar i këtij vendi të ngrihet dhe të flasë për vete dhe për të ardhmen. Të ngrihen dhe të kërkojnë llogari nga secili pushtetmbajtës. Të ngrihet dhe të ua kujtojë, pushtetmbajtësve se nuk janë sundues të tyre por në shërbim të tyre.