Kreu i Kuvendit të Kosovës dhe një prej figurave më të rëndësishme të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka udhëtuar drejt Hagës. Konjufca të premten ka mbërritur atje, derisa sot pritet që të takohet me ish-krerët e UÇK-së të cilët po mbahen në paraburgim në Gjykatën Speciale.
Konjufca do t’i takojë të gjithë ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin.
Shefi i kabinetit të tij, Ilir Kërçeli, ka konfirmuar për klankosova.tv, se takimet me ta do t’i zhvillojë sot.
Ndryshe, Kërçeli ka bërë të ditur se Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi e kanë pranuar vizitën e Konjufcës.
Para nisjes për Hagë, në një intervistë për Kosovapress, kreu i Kuvendit të Kosovës ka thënë se Kosova është e shqetësuar me procesin që po zhvillohet atje, e që shqetësimet ndërlidhen me të drejtat e njeriut.