Këtë fundjavë zhvillohet xhiroja e 14-të e ProCredit Superligës në basketboll, e cila mbyll garat për këtë vit kalendarik.
Ndeshja hapëse, të shtunën në ora 17:00, zhvillohet ndërmjet Bashkimit dhe Pejës në Prizren.
Kjo përballje sjell dy skuadra me traditë, ku Bashkimi mban vendin e dytë në tabelë me nëntë fitore dhe katër humbje, ndërsa Peja ndodhet në vendin e tretë me shtatë fitore dhe gjashtë humbje.
Të shtunën në ora 19:00, Trepça do të përballet me Borën në palestrën “1 Tetori”, transmeton Klankosova.tv.
Mitrovicasit, që kryesojnë tabelën me dhjetë fitore dhe tri humbje, përballen me Borën, që ka shfaqur ngritje në formë dhe mban vendin e shtatë me katër fitore dhe dhjetë humbje.
Të dielën, në ora 17:00, zhvillohet një tjetër përballje interesante mes Vëllaznimit dhe Sigal Prishtinës në Gjakovë.
Të dy skuadrat ndajnë të njëjtin bilanc me nga gjashtë fitore dhe shtatë humbje, duke premtuar një sfidë të fortë.
Xhiroja mbyllet po të dielën në ora 19:00 me ndeshjen ndërmjet Proton Cable Prizrenit dhe Golden Eagle Yllit.
Prizrenasit kanë tri fitore dhe 11 humbje, ndërsa therandasit mbajnë vendin e katërt me shtatë fitore dhe gjashtë humbje./Klankosova.tv.