Forca e Sigurisë së Kosovës ka bërë të ditur se në Qendrën Ndërkombëtare Trajnuese për Kërkim Shpëtim (QNTKSh) është zhvilluar me sukses Trajnimi i Ndihmës së Parë për pjesëtarë të personelit ndërkombëtar dhe lokal të “Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit” GIZ, duke përfshirë pjesëmarrës nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Në njoftimin e lëshuar nga FSK-ja thuhet se ky trajnim intensiv kishte në fokus teknikat e shpëtimit të jetës, reagimin emergjent dhe aftësitë praktike të ndihmës së parë, duke synuar rritjen e gatishmërisë së pjesëmarrësve për përballimin e situatave kritike.
“Gjatë pesë ditëve të trajnimit, pjesëmarrësit patën mundësinë të ushtrojnë teknika të ndryshme të shpëtimit dhe ndihmës së parë në skenarë realistë, duke forcuar aftësitë e tyre profesionale”.
“Bashkëpunimi me GIZ në organizimin dhe zhvillimin e këtij trajnimi thekson angazhimin tonë të përbashkët për siguri, qëndrueshmëri dhe ndërtimin e kapaciteteve në rajon”, thuhet në njoftim. /Klankosova.tv