354 rekrutë kanë nisur trajnimin intensiv të Stërvitjes Ushtarake Bazë në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes në Ferizaj.
Sipas një njoftimi nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), ky trajnim përbën një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit të të rinjve në radhët e FSK-së.
Gjatë këtij programi, rekrutët do të përfitojnë aftësi fizike, njohuri bazë ushtarake dhe disiplinë, duke u përgatitur për sfidat e mëtejshme që i presin në karrierën e tyre ushtarake.
“Kjo është faza e fundit e testimit para se ata të jenë pjesë e FSK-së. Rekrutëve të rinj iu dëshirojmë sukses në misionin e tyre të shenjtë dhe detyrat që i presin në të ardhmen, për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e vendit,” thuhet në njoftimin e FSK-së.