Partia Socialdemokrate që drejtohet nga Dardan Molliqaj, në zgjedhjet e ardhshme do të garojë për të siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës. Garën për ulëse në legjislativ do ta bëjnë vetë, pa koalicione.
Anëtari i kryesisë së kësaj partie, Frashër Krasniqi, në një intervistë për Demokracia.com ka treguar për planet e kësaj partie, aksionet simbolike që po i ndërmarrin kundër Qeverisë së Kosovës dhe rolin e tyre opozitar jashtë parlamentar. Krasniqi, i cili ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës, ka folur edhe për punën e ekzekutivit, çështjen e energjisë e krizën ekonomike.
Frashër Krasniqi ka konfirmuar për Demokracia.com se në zgjedhjet e ardhshme, Partia Socialdemokrate do t’i hyjë garës për të siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës.
“Po, normalisht jemi të interesuar me garu vetë. Nuk e di çka ndodhë në rrethana tjera politike, për shkak se gjithmonë për koalicione dhe bashkëpunime nuk është mirë me fol dy-tri vjet para zgjedhjeve, sepse ndërrojnë rrethanat politike kur afrohen zgjedhjet. Mirëpo, në parim ne jemi të interesuar me u përgatit dhe jemi duke u përgatitur për me garu vetë. Ne do të kandidojmë për t’u bërë pjesë e Kuvendit si opozitë e fuqishme. Nuk jemi t’u thënë që do të kandidojmë për kryeministër në këto zgjedhje, por do të kandidojmë për më qenë opozita më e fuqishme brenda Kuvendit”, ka thënë Krasniqi.