Raporti i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar i nxjerrë për Kosovën, ka vlerësuar lartë aktivitetet e Administratës Tatimore të Kosovës në inkasimin e të hyrave dhe formalizimin e punëtorëve.
Saktësisht brenda raportit të FMN-së thuhet se “Pas pandemisë, të ardhurat nga tatimet u rritën fuqishëm, duke shënuar rritjen më të madhe mes vendeve të Ballkanit Perëndimor”.
Në raport theksohet se rreth një e treta e rritjes së të hyrave nga TVSH-ja në vitet 2020–2022 mund të shpjegohet me përmirësimet në administrimin e tatimeve, duke përfshirë rritjen e formalizimit. Gjithashtu, në raport pasqyrohet rritja e fuqishme e të hyrave nga Tatimi në të Ardhurat e Korporatave (TAK). Përderisa rritja e TVSH-së dhe TAK-ut shpjegohet kryesisht me rritjen e bazës tatimore (rritjen e numrit te bizneseve që paguajnë tatim). Në përgjithësi rritja e formalizimit ka luajtur një rol të rëndësishëm në rritjen e të hyrave të përgjithshme. Kjo është mbështetur nga përpjekjet e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) në formën e rritjes së kontrollave dhe inspektimeve në teren.
Tutje, në raport theksohet edhe përkushtimi i ATK-së në formalizmin e punësimit, ku thuhet se sipas të dhënave në nivel sektori, tregohet se mbështetja e qeverisë për të rritur punësimin formal, duke përfshirë edhe femrat, gjithashtu shpie në rritjen e të hyrave nga Tatimi në të Ardhura Personale ( TAP).
“Rritja e punësimit në sektorët që priren të kenë nivele relativisht të larta informaliteti, siç ёshtё akomodimi, shërbimi ushqimor dhe sektori i ndërtimtarisë, kanë zgjeruar bazën tatimore të TAP. Rritja e punësimit të femrave mund të shpjegojë gjithashtu një pjesë të rritjes së punonjësve të regjistruar. Ndërsa, punësimi i femrave në Kosovë ka qenë relativisht i ulët, ai u rrit më shpejt se punësimi i meshkujve gjatë dekadës së fundit, duke rezultuar në një rritje të përqindjes së femrave në punësimin total nga rreth 30 për qind në vitin 2012 në rreth 40 për qind në vitin 2022, thuhet në raport.
Ndër të tjera, në këtë raport vlerësohet edhe rritja e bazës tatimore sipas llojeve të tatimeve, bashkëpunimi ndërinstitucional në parandalimin dhe luftimin e ekonomisë joformale, si dhe përpjekjet e vazhdueshme të ATK-së për rritjen e partneritetit me qytetarët.