Pika kufitare midis Kosovës dhe Serbisë, Dheu i Bardhë vazhdon të jetë e ngarkuar nga fluksi i madh i bashkatdhetarëve që po kalojnë përmes kësaj pike kufitare, e cila ua mundëson hyrjen në territorin e Kosovës.
Kështu bëhet e ditur në të dhënat e publikuara nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar.
Të martën mbrëma, në pikën kufitare në Merdar, nga ana e Serbisë u vendosën barrikada duke ua pamundësuar bashkatdhetarëve ardhjen në Kosovë nga kjo pikë.
Megjithatë, ata shfrytëzuan rrugën alternative siç është ajo e pikës kufitare te Dheu i Bardhë, e cila orët e fundit u raportua si më e ngarkuara.
Policia e Kosovës ka njoftuar se bllokimi rrugës është bërë afërsisht në kilometrin e dytë në territorin e Serbisë, nga pika kufitare “Merdar”, e cila për shkak të kësaj bllokade, është mbyllur për qarkullim.
“Një bllokim i tillë i kundërligjshëm ka pamundësuar lëvizjen dhe qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave, andaj ftojmë qytetarët dhe bashkatdhetarët tanë që të shfrytëzojnë pikat e tjera kufitare për qarkullim, duke përjashtuar pikat kufitare ‘Jarinjë’, ‘Bernjak’ dhe ‘Merdare’, deri në njoftimin e radhës”, thuhet në komunikatën për media nga policia.
Mbrëmjen e 27 dhjetorit, Ministria e Jashtme teksa bëri të ditur se “grupet kriminale serbe” bllokuan kufirin në Merdar, ftoi të gjithë qytetarët e Kosovës dhe ata të diasporës që t’i shfrytëzojnë pikat e tjera kufitare për të arritur në Kosovë.
Për shkak të barrikadave të vendosura nga serbët lokalë, që nga 10 dhjetori janë mbyllur përkohësisht edhe dy pika të tjera kufitare me Serbinë, ato në Jarinjë dhe Bërnjak.
Bllokimi i rrugëve në veri të Kosovës ka hyrë në ditën e 19.
Që nga e shtuna e 10 dhjetorit, serbët lokalë kanë ngritur barrikada në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-pjesëtari serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, për të cilin, autoritetet në Kosovë thonë se ka organizuar sulmet ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Forcat e policisë së Kosovës vazhdojnë të jenë të dislokuara në veri.
Që nga 6 dhjetori, në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – janë shënuar disa incidente të armatosura.
Sulme ka pasur edhe ndaj Policisë së Kosovës.
Ndërkaq, të martën e 27 dhjetorit, Policia e Kosovës ka konfirmuar se është vendosur një barrikadë e re në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut dhe një në Zveçan te vendi i njohur si Kërshi i Dudës.