Millan Jovanoviq, i cili mbrëmë vonë u transportua në QKS në Mitrovicën e Veriut, pasi u plagos në afërsi të urës së Bistricës, ka deklaruar për portalin serb “Kosovoonline” se “në vendin ku është plagosur ka pasur vetëm pjesëtarë të Forcave Speciale të Kosovës”.
Ai ka thënë se gjithçka ka ndodhur kur ai po kthehej në shtëpi nga Leposaviqi dhe se nuk është i sigurt se kush e ka plagosur.
“Mbrëmë, pasi u ktheva nga Leposaviqi poshtë në Bistricë, pasi kalova nëpër postbllok, dëgjova një të shtënë dhe një dhimbje në shpatull. Nuk mund të jem 100% i sigurt se kush qëlloi, por “nuk besoj se ka pasur njeri tjetër atje përveç ushtrisë dhe policisë së tyre”. Dëgjova plasaritjen e xhamit prapa dhe përpara dhe sinqerisht u tremba, vazhdova, u nisa për në shtëpi. Arrita në deri në vendin e quajtur “Guri i larmë” dhe çfarë ndodhi më pas, ku është vetura, kush më solli, nuk e di”, ka thënë Jovanoviq.
Pas pranimit në QKS në Mitrovicën e Veriut, Jovanoviq është operuar në repartin e kirurgjisë dhe sipas kirurgut kujdestar, ai është jashtë rrezikut për jetën, por gjendja e tij ende po monitorohet.