Ish ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi sot ka dalë me një letër publike për sfidat dhe të arriturat sa ka qenë në krye të kësaj ministrie.
Ai thotë se dorëheqja e tij ishte rezultat i një reflektimi në muajt e fundit.
Latifi thotë se kur ka ardhur në krye të kësaj ministrie ka gjetur keq menaxhim, buxhet të vogël si dhe mungesë të ekipeve profesionale të menaxhimit dhe zbatimit të projekteve kapitale që kanë filluar në të kaluarën.
Letrae plotë e ish ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi:
Siç është bërë e njohur tashmë, me datë 6 tetor 2022, me zhgënjim të thellë dhe keqardhje pas shumë reflektimesh për disa muajt e fundit, dhashë dorëheqje nga Ministria e Shëndetësisë, ku shërbeva për 10 muaj e gjysmë si Ministër. Ky ka qenë vendimi më i vështirë që kam marrë ndonjëherë në jetën time.
Ju falënderojë shumë për përkrahjen tuaj të vazhdueshme, besimin tuaj, se ne mund ta rindërtojmë, zhvillojmë, dhe transformojmë shëndetësinë e Kosovës.
Për çdo minutë të kësaj kohe, unë kam pasur nderin dhe përgjegjësinë më të madhe që dikush mund ta ketë. Për më tepër, gjatë kësaj kohe unë nuk kam bërë vetëm punën e Ministrit, ngase këtë kurrë nuk e kam marrë si punë, por si pasionin dhe përgjegjësinë më të madhe që kam pasur ndonjëherë.
Por, dua të ju siguroj të gjithë qytetarët e Kosovës dhe gjithë diasporën shqiptare kudo që jetojnë në botë, se ndonëse nuk do të jem më Ministër i Shëndetësisë së Kosovës, do të mbetem ambasadori i saj më këmbëngulës për avancimin e shëndetësisë së Kosovës, dhe kurrë nuk do të ndalem së punuari për Kosovën dhe për shëndetësinë e Kosovës dhe për rimëkëmbjen dhe modernizimin e këtij sektori shumë të injoruar dhe vulnerabël. Kështu, ka qenë qysh nga viti 1985 kur jam shpërngulur në SHBA, e kështu do të jetë derisa nuk e marrë frymën e fundit në këtë botë.
Të dashur Qytetarë,
Ju me të drejtë, pyesni po çfarë bëmë ne për këta muaj? Përgjigja është e thjeshtë: Filluam rindërtimin dhe transformimin e të gjithë sistemit shëndetësor në një kohë shumë të vështirë, me rrethana shumë komplekse, në një ambient të polarizuar dhe të politizuar, duke krijuar bazamentin e një shëndetësie moderne, me spitale moderne dhe me staf të përgatitur për t’u marrë me çdo sëmundje dhe gjendje shëndetësore.
Më lejoni të përpiqem të shpjegoj përgjigjen për këtë pyetje madhore, duke përdorur analogjinë e kirurgut të traumës. Ne shpëtojmë jetën e një të lënduari rëndë duke ndaluar gjakderdhjen me intervenime kirurgjike (shpesh dramatike), duke siguruar rrugët e frymëmarrjes dhe oksigjenin, dhe duke dhëne shumë gjak dhe produkte gjaku.
Në rindërtimin dhe transformimin e sistemit të kujdesit shëndetësor filluam të përdorim të njëjtën qasje dhe metaforë: ndalimi i gjakderdhjes, që në këtë kontest është ndalimi i fluksit të pacientëve jashtë vendit duke krijuar ekspertizën tonë, që është oksigjeni, pa të cilin nuk mundemi t’i mbijetojmë konkurrencës, dhe më në fund modernizimi i infrastrukturës spitalore (rritje të buxhetit), pa të cilën as nuk mund ta ndalim gjakun e as të jepet oksigjeni.
Për ta arritur këtë filluam ndërtimin e kapaciteteve njerëzore mjekësore dhe manaxheriale me standarde të larta ndërkombëtare dhe të infrastrukturës përmes diplomacisë mjekësore, që do të siguronte mirëqenie të stafit shëndetësor jo vetëm me paga dinjitoze, por edhe me platformë që i gjithë kuadri shëndetësor të arrijë gjithë potencialin e vet, dhe të ketë, si thashë më lart infrastrukturë spitalore moderne.
Kësaj duhet shtuar përgjegjësinë e secilit punëtor shëndetësor për punën dhe performancën individuale dhe shumë më tepër dashuri për popullin dhe për vendin tonë të vogël e të bukur, Kosovën. Pra, ekspertiza e lartë dhe infrastruktura e duhur ngrit cilësinë e shërbimeve, e shton përgjegjësinë, por edhe kënaqësinë profesionale të secilit. Pa përgjegjësi dhe kënaqësi profesionale nuk arrihet i gjithë potenciali njerëzor nga asnjeri nga ne. Është aq e thjeshtë sa kaq!
Në faqet në vijim të këtij dokumenti mund të gjeni një përmbledhje të shkurtër të gjeturave, sfidave të ballafaquara si dhe të arriturat në këta 10 muaj të mi si Ministër i Shëndetësisë, të cilat mendoj se janë një fondacion i mirë, për të ndërtuar edhe kapacitetet e edhe infrastrukturën e edhe mirëqenien e punëtorëve shëndetësorë.
Më lejoni të falënderoj të gjithë qytetarët e Kosovës dhe diasporën shqiptare kudo në botë për besimin e tyre, Kryeministrin Kurti për mundësinë jetike që më dha ta ndihmojë shëndetësinë e Kosovës, kabinetin tim që bënë edhe të pamundurën për të arritur pikësynimet dhe realizuar planet tona, miqtë e kolegët që më ndihmuan dhe përkrahen në këtë mision të shenjtë, të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, të gjitha partive politike, që me pyetjet e tyre parlamentare në komisione ose në parlament më bënë Ministër më të mirë dhe më ndihmuan në punën time. Dhe, në fund falënderoj familjen time veçmas Dritën për sakrificën e tyre që bënë, dhe përkrahjen e 100% të vendimit tim të vijë në Kosovë.